Shërbimi i Provës në Shqipëri
Pjesë e sistemit të drejtësisë penale shqiptare
Shërbimi i Provës, institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, ka filluar funksionimin e tij në Qershor të 2009-ës dhe deri më tani ka mbikëqyrur dhe mbështetur zbatimin e dënimeve alternative për më shumë se 1.000 persona.
Aktualisht Shërbimi i provës ka 4 zyra vendore, përkatësisht në Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier të cilat mbulojnë territorin shqiptar.
Stafi angazhohet në përgatitjen e raporteve të vlerësimit para dhe pas gjykimit duke vlerësuar prejardhjen shoqërore, kushtet familjare dhe planet konkrete për
ri-integrim shoqëror si dhe realizon mbikëqyrjen e të dënuarve me dënime alternative me qellim mbrojtjen e interesave publike dhe parandalimin e kryerjes se veprave penale.
Ky shërbim kryen kontroll mbi të dënuarit dhe vepron si mburojë për komunitetin.Nga njëra anë u jep mundësinë autorëve të veprave penale të cilët kanë mundësi për ri-integrim dhe rehabilitim në shoqëri të rifillojnë më shpejt jetën në komunitet ndërsa nga ana tjetër kontrollon dhe ndëshkon autorët e veprave penale duke vepruar si mburojë për komunitetin. Sigurisht për të arritur rezultate të kënaqshme veprohet në bashkëpunim me shërbimet lokale sociale dhe të mirëqenies për të nxitur dhe rritur mundësitë e përfshirjes në shoqëri. Për këtë qëllim është nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes Drejtorisë së Shërbimit të Provës dhe Shoqatave Partnere të projektit. Sipas këtij bashkëpunimi Zyra e Shërbimit të Provës i dërgon Shoqatave Partnere një letër reference me të dhënat e të pandehurit, subjekt për dënimin alternative i cili trajtohet në qëndrat ditore të këtyre shoqatave partnere, që disponojnë programe të natyrës rehabilituese, përfshirëse dhe riintegruese për të pandehurit në komunitet.