Vizitë studimore në Estoni
Rrjeti Kombëtar i Shërbimeve Komunitare për Dënimet Alternative në Shqipëri organizoi një vizitë studimore në Estoni. Kjo vizitë ka pasur në qendër të vëmendjes Shërbimin e Provës në Estoni dhe Zbatimin e Dënimeve Alternative në kuadëe të projektit "Rrjeti për Shërbimet Komunitare për Dënimet Alternative" i mbështetur nga Bashkimi Evropian që prej datës 11 deri më 15 shkurt 2012. Pjesëmarrës në këtë vizitë ishin:
Arben Sefgjini - Drejtor i përgjithshëm i Shërbimit të Provës
Abdyl Spahiu - Drejtor i Tiranës, zyra rajonale
Spartak Mitrushi - Drejtor i Fierit, zyra rajonale
Florian Arapi - Drejtor i Elbasanit, zyra rajonale
Marinela Sota - Drejtoreshë e Shoqatës "Refleksione", pedagoge në degën e Punës Sociale në Sistemin e Drejtësisë / Universiteti i Tiranës
Enkelejda Ngjelina - Shoqata "Aksion Plus", asistente menaxhere
Vizita filloi më 13 shkurt me takimin në Ministrinë e Drejtësisë, me ndihmën e një këshilltari, i cili koordinonte shërbimet e provës dhe punën sociale në burg. Kontakti i parë ishte znj. Anne Kruusement, këshilltare e Departamentit të Rehabilitimit Social në Burgje, pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila bëri një prezantim të historisë së Shërbimeve të Provës në Estoni. Estonia është një vend i vogël me 1.4 milionë banorë. Në vitin 1991 ky vend filloi reformën penale dhe në vitin 1993 vizionin e parë për shërbimet e provës. Në vitin 1998 filloi puna e shërbimit të provës së pari me 100 punonjës dhe 2000 të dënuar. Me kalimin e viteve numri i të dënuarve filloi të rritej dhe të shkonte deri në 8000 persona në vitin 2009. Po ashtu ajo na informoi edhe në lidhje me sistemin e vëzhgimit elektronik në Estoni.
Pas këtij prezantimi, znj.Marin Kulper na informoi më shumë lidhur me programin social si një nga aktivitetet e kohës së dënimit. Për të zbutur prirjen kriminale në Estoni përdoreshin programe të ndryshme sociale si për shembull menaxhimi i zemërimit, trajnime për shprehi sociale, programe për të dënuarit për veprën penale të dhunës seksuale, program rehabilitimi për personat me varësi nga droga, programe rehabilitimi individuale dhe ne grup etj. Prezantimet për çdo program janë realizuar nga konsulentë të secilës fushë. Më pas vizita vazhdoi me takimin në dy vende të ndryshme në "Convictus Estonia", e cila është një organizatë joqeveritare. "Convictus Estonia" ofron ndihmë psikologjike dhe këshillime për personat me varësi nga droga dhe Hiv/pozitivët. "Convictus Estonia" është një partner bashkëpunues për shërbimin e provës dhe burgjet.
Ne vizituam edhe vendin e punës, ku shpërndaheshin shiringat sterile. Dita e parë përfundoi me vizitën në "Kristiine Social Center", një organizatë qeveritare, e cila është partnere bashkëpunuese për shërbimin e provës. "Kristiine Social Center" funksionon si një qendër ditore dhe ofron aktivitete të ndryshme sociale për çështje që kanë të bëjnë me shëndetin dhe kulturën. Nga viti 2003 deri më 2005-ën "Kristine Social Center" ka zhvilluar një program në të cilin personave të moshuar dhe atyre me varësi nga substancat u ofrohen shërbime të mbarëvajtjes jetike (lavanderi, dush, ushqime dhe nevoja të tjera), të bazuara në një listë me çmime të përcaktuara. Po ashtu "Kristine Social Center" ofron aktivitete të ndryshme për ngritjen e moralit dhe shërbime për persona të gjitha moshave. Puna e bërë në "Kristine Social Center" ndahet në gjashtë njësi: shërbimi i "Children's Day Center", aktivitete për shëndetin dhe për të moshuarit, shërbime rehabilituese për krimet e kryera nga minorene, program i bazuar në këshillimin për grupet në risk në tregun e punës, lavanderi dhe shërbime dushi, mencë dhe shërbime të tjera mbështetëse.
Dita e dytë e vizitës sonë filloi me një takim me znj. Katriin Savitš, zyrtare e lartë në godinën e shërbimit të provës në Tartu. Ajo na informoi rreth shërbimit të provës dhe punës në komunitet. Prezantoi metodat e mbikëqyrjes në shërbimin e provës dhe kohëzgjatjen e ushtrimit të këtij shërbimi. Gjatë këtij takimi ne bëmë shumë pyetje dhe krahasuam përvojën tonë në Shërbimin e Provës në Shqipëri. Më pas ne shkuam në godinën e dytë të Shërbimit të Provës, ku u informuam lidhur me sistemin e vëzhgimit elektronik, lirimin e hershëm dhe mënyrat e procedimit të tyre. Pas prezantimit të punës së shërbimit të provës, sipas axhendës sonë, vizitën e fundit në burgun e Talinit. U takuam me drejtorin e burgut të Talinit, zotin Rait Kuuse dhe Erik Rüütel, menaxher i punës sociale dhe shërbimit të provës dhe Ata Vaks (lider i divizionit të punës sociale). Në qendër të vëmendjes të këtij takimi ishte panorama e përgjithshme e gjendjes së burgut si dhe programet sociale të shërbimit të provës. Ne mësuam dhe diskutuam programet sociale në burg. Vizita përfundoi me një shëtitje në burgun e shkollës dhe në disa zona të tjera ku të burgosurit mësojnë dhe punojnë.