Prezantimi i rradhës u mbajt nga punonjësja e projektit Znj. Enkeleda Ngjelina. Prezantimi i saj u përqëndrua në situatën aktuale të përdorimit të drogës në Shqipëri duke iu referuar statistikave të studimeve aktuale. Në prezantimin e saj, Znj. Ngjelina nënvizoi faktin se përdorimi i drogës shërben si faktor nxitës në kryerjen e veprave penale të ndryshme. Ajo sqaroi se përdorimi i drogës nuk është vetëm nje fenomen negativ fizik por edhe familiar, komunitar, social, ekonomik dhe ligjor. Në këtë perspektivë ajo shpjegoi rëndësinë e trajtimit mbajtës me metadon, terapitë afatshkurtra dhe afatgjata dhe efektet pozitive të tyre në reduktimin e varësisë nga droga. Prezantimi u shoqërua me analizimin e rasteve konkrete dhe ecurinë e tyre si dhe me shfaqjen e pamjeve vizive.
Prezantimi I Znj. Fiona Lalaj, Lektore në Fakultetin e Shkencave Politike u fokusua në benefitet që derivojnë nga Zbatimi i Dënimit Alternativ në komunitet. Ajo theksoi se me zbatimin e Dënimit Alternativ në komunitet, mundësohet gjithëpërfshirja e institucioneve, angazhimi dhe mobilizimi i komunitetit në rehabilitimin dhe riintegrimin e këtyre subjekteve, emancipimin e shoqërisë dhe eliminimin e stigmave fuqizimin dhe aktivizimin e shoqërisë civile ne vendimarrje, në hartimin e politikave dhe strategjive efikase në lidhje me fenomene të tilla, rritjen e përgjegjshmërisë dhe eficencës qeverisëse, rritjen e sigurisë së rendit, konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në respektimin e të drejtave të target grupeve vulnerabël. Në lidhje me aspektin ekonomik, Znj. Fiona Lalaj, iu referua studimit të botuar nga Universiteti i Kolumbias dhe Qëndra e Varësisë nga Droga dhe Alkooli, studimi i cili konkludon se në nivel kombëtar, kostoja e burgimit është shume herë më e lartë se sa kostoja e trajtimit dhe rehabilitimit të subjekteve në kuadër të Zbatimit të Dënimit Alternativ.